Çfarë është psikoanaliza?

Psikoanaliza përkufizohet si një tërësi teorish dhe teknikash terapeutike, të cilat e kanë origjinën në punën dhe teorinë e Zigmund Frojd. Ideja qendrore e psikoanalizës është besimi se të gjithë njerëzit kanë mendime, ndjenja, dëshira dhe kujtime të pandërgjegjshme. Duke bërë përmbajtjen e pandërgjegjshme të ndërgjegjshme njerëzit mund të përjetojnë “katarsis” dhe të fitojnë insajt (kthjellësi) për gjendjen e tyre mendore aktuale. Përmes këtij procesi, njerëzit gjejnë lehtësim nga shqetësimet psikologike dhe distresi.

Si zhvillohet psikoterapia psikoanalitike?

“Psikoterapia psikoanalitike zhvillohet me seanca 50 minutëshe, zakonisht një herë në javë. Për ata që dëshirojnë mund të bëhen më shumë seanca brenda një jave. Psikoterapistët ftojnë klientët që të thonë “çdo gjë që u vjen në mendje….”, ndërsa i dëgjojnë dhe, kur e gjykojnë të arsyeshme, bëjnë interpretimet e tyre. Klientët janë të lirë të shprehin çdo pyetje dhe paqartësi që mund të kenë.

Në disa raste njerëzit vijnë në terapi me ankth dhe emocione negative sepse mendojnë se fillimi i psikoterapisë tregon se ata janë “të çmendur”. Në fakt, shpesh me kalimin e kohës zbulojnë se psikoterapia i ndihmon ata që të kenë një cilësi jete më të mirë, të pranojnë dhe të duan veten e tyre ashtu siç janë, me anët e tyre të mira dhe të errëta”

Disa ide bazë të psikoanalizës

  • Mënyra e sjelljes së njerëzve ndikohet nga forcat e tyre të pandërgjegjshme;
  • Zhvillimi i personalitetit ndikohet shumë nga ngjarjet e fëmijërisë së hershme;
  • Bërja e informacionit të pandërgjegjshëm, të ndërgjegjshëm mund të çojë në katarsis dhe t’i lejojë njerëzit të përballen me çështjen në fjalë;
  • Njerëzit përdorin një sërë mekanizmash mbrojtës për të mbrojtur veten nga informacioni që ndodhet në të pandërgjegjshen;
  • Problemet emocionale dhe psikologjike, si depresioni dhe ankthi shpesh i kanë rrënjët tek konfliktet ndërmjet mendjes së ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme;
  • Një analist i trajnuar mund të ndihmojë për të bërë të ndërgjegjshme disa aspekte të të pandërgjegjshmes duke përdorur disa metoda psikoanalitike, si analiza e ëndrrave dhe asosiacionet e lira;

Çfarë janë dhe si shfaqen fenomemet e pandërgjegjshme?

Fenomenet e pandërgjegjshme mund të shfaqen si:

  • një sens dobësie (njerëz që nuk ndihen mirë emocionalisht, që nuk i lidhin mirë mendimet e tyre, fragmentim, ndjenja të anihilizmit etj.),
  • kotësi (njerëz të ndjeshëm ndaj turpit, njerëz që aspirojnë të jenë perfektë ose që janë unikë/të veçantë),
  • konflikt (tensione mes dëshirave dhe ndalesave, ambivalence, ndjekja e qëllimeve që kundërshtojnë njëri – tjetrin),
  • defiçit moral (vetë – mashtrim, tendenca për të pasur gjithmonë të drejtë, verbëri ndaj pasojave negative të veprimeve), ose si
  • dëshira të ethshme, lakmi, konkurrencë dhe agresion.

Qëllimi i psikoanalizës

Për psikoanalizën ndihma ndaj klientëve nuk është vetëm ndryshimi i sjelljeve problematike ose i gjendjes së tyre mendore. Çfarë synojnë psikoanalistët është që të bëjnë klientët e tyre të pranojnë veten dhe kufizimet që kanë, të përmirësojnë:

  • kapacitetin e tyre për intimitet dhe marrëdhënie intime;
  • vetëvlerësimin e tyre, duke e bërë të bazuar në realitet
  • tolerancën për një gamë të gjerë mendimesh dhe ndjenjash, të cilat mund të duken të papranueshme për ata dhe t’i mundojnë për shumë kohë
  • reziliencën e tyre të përgjithshme
  • vazhdimësinë e vetes,
  • sensibilitetin moral dhe
  • njohjen dhe pranimin e të tjerëve si qenie të ndara.