Psikoterapia — Veronika Duci

Veronika Duci · Psikologe Terapiste

Psikoterapia
Psikoanalitike

Një udhëtim i thellë drejt vetëkuptimit, ku mendimet dhe ndjenjat e pandërgjegjshme gjejnë hapësirë për t'u shprehur dhe përpunuar.

Çfarë është Psikoanaliza?

Psikoanaliza përkufizohet si një tërësi teorish dhe teknikash terapeutike, të cilat e kanë origjinën në punën dhe teorinë e Zigmund Frojd. Ideja qendrore e psikoanalizës është besimi se të gjithë njerëzit kanë mendime, ndjenja, dëshira dhe kujtime të pandërgjegjshme.

Duke bërë përmbajtjen e pandërgjegjshme të ndërgjegjshme, njerëzit mund të përjetojnë "katarsis" dhe të fitojnë insajt (kthjellësi) për gjendjen e tyre mendore aktuale. Përmes këtij procesi, njerëzit gjejnë lehtësim nga shqetësimet psikologjike dhe distresi.

Si zhvillohet psikoterapia psikoanalitike?

Psikoterapia psikoanalitike zhvillohet me seanca 50 minutëshe, zakonisht një herë në javë. Për ata që dëshirojnë, mund të realizohen më shumë seanca brenda një jave. Psikoterapistët ftojnë klientët të thonë "çdo gjë që u vjen në mendje…", ndërsa i dëgjojnë dhe, kur e gjykojnë të arsyeshme, bëjnë interpretimet e tyre. Klientët janë të lirë të shprehin çdo pyetje dhe paqartësi që mund të kenë.

"Në disa raste njerëzit vijnë në terapi me ankth dhe emocione negative sepse mendojnë se fillimi i psikoterapisë tregon se ata janë 'të çmendur'. Në fakt, shpesh me kalimin e kohës zbulojnë se psikoterapia i ndihmon të kenë një cilësi jete më të mirë, të pranojnë dhe të duan veten e tyre ashtu siç janë, me anët e tyre të mira dhe të errëta."
— Veronika Duci

Disa ide bazë të psikoanalizës

Eksploro idetë themelore
  • Mënyra e sjelljes së njerëzve ndikohet nga forcat e tyre të pandërgjegjshme.
  • Zhvillimi i personalitetit ndikohet shumë nga ngjarjet e fëmijërisë së hershme.
  • Bërja e informacionit të pandërgjegjshëm, të ndërgjegjshëm, mund të çojë në katarsis dhe t'i lejojë njerëzit të përballen me çështjen në fjalë.
  • Njerëzit përdorin një sërë mekanizmash mbrojtës për të mbrojtur veten nga informacioni që ndodhet në të pandërgjegjshmen.
  • Problemet emocionale dhe psikologjike, si depresioni dhe ankthi, shpesh i kanë rrënjët tek konfliktet ndërmjet mendjes së ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme.
  • Një analist i trajnuar mund të ndihmojë për të bërë të ndërgjegjshme disa aspekte të së pandërgjegjshmes duke përdorur metoda si analiza e ëndrrave dhe asosiacionet e lira.

Çfarë janë dhe si shfaqen fenomenet e pandërgjegjshme?

Fenomenet e pandërgjegjshme mund të shfaqen si:

Shfaqjet kryesore të fenomeneve të pandërgjegjshme
  • Ndjesi dobësie — njerëz që nuk ndihen mirë emocionalisht, që nuk i lidhin mirë mendimet e tyre, fragmentim, ndjenja të anihilizmit etj.
  • Kotësi — njerëz të ndjeshëm ndaj turpit, njerëz që aspirojnë të jenë perfektë ose që janë unikë/të veçantë.
  • Konflikt — tensione mes dëshirave dhe ndalesave, ambivalencë, ndjekja e qëllimeve që kundërshtojnë njëri-tjetrin.
  • Defiçit moral — vetë-mashtrim, tendenca për të pasur gjithmonë të drejtë, verbëri ndaj pasojave negative të veprimeve.
  • Dëshira të ethshme, lakmi, konkurrencë dhe agresion.

Qëllimi i psikoanalizës

Për psikoanalizën, ndihma ndaj klientëve nuk është vetëm ndryshimi i sjelljeve problematike ose i gjendjes së tyre mendore. Ajo që synojnë psikoanalistët është që t'i ndihmojnë klientët të pranojnë veten dhe kufizimet që kanë, duke përmirësuar:

  • Kapacitetin për intimitet dhe marrëdhënie intime
  • Vetëvlerësimin, duke e bërë të bazuar në realitet
  • Tolerancën për një gamë të gjerë mendimesh dhe ndjenjash, të cilat mund të duken të papranueshme dhe t'i mundojnë për shumë kohë
  • Reziliencën e përgjithshme
  • Vazhdimësinë e vetes
  • Sensibilitetin moral
  • Njohjen dhe pranimin e të tjerëve si qenie të ndara

Gati për të filluar këtë udhëtim drejt vetëkuptimit?

Kontaktoni tani